Tensioni po rritet ndjeshëm në Moldavi, ku mund të hapet një front i ri i luftës së shpallur nga Kremlini.
Për ditë ne dytë radhazi, një seri shpërthimesh janë regjistruar në provincën e vetëshpallur të pavarur të Transnistriës, e kontrolluar faktikisht nga Moska nga viti 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Në kryeqytetin moldav Kishinau, po zhvillohet një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit mbi ngjarjet e fundit që mund të destabilizojnë vendin në kufi me Rumaninë.
Transnistria, ose edhe Transdniestra, e kontrolluar faktikisht nga Moska nga viti 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik
Pas sulmeve të djeshme kundër disa godinave qeveritare në kryeqytetin e provincës, Tiraspol, sot u shkatërruan disa antena radio që mundësonin sinjalin e radiove pro ruse në atë territor.
Antenat e shkatërruara afër Tiraspolit
Në sulmin ende pa autor, nuk regjistrohen viktima por sinjali është ndërprerë. Ndërkohë, sipas agjencisë ruse TASS autoritetet në Tiraspol kanë denoncuar edhe për një sulm kundër një njësie ushtarake afër qytetit.
Për këtë arsye, qeveria e vetëshpallur ka ngritur alarmin e kuq për terrorizëm dh eka anuluar paradën e 9 majit që kujton fitoren mbi forcat nazifashiste, një event madhor në republikën që ende ka mbetur me logjikën e Bashkimit Sovjetik.
Janë të shumtë analistët perëndimorë që mendojnë që Rusia ose forcat proruse në Tiraspol po krijojnë trazira për t’i dhënë shkas Kremlinit për një ndërhyrje në atë zonë, duke rrethuar praktikisht Ukrainën në të gjitha drejtimet.