Së paku 60 persona u vranë kur një bombë goditi një shkollë në Ukrainën lindore, tha presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky.
Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, tha se, në kohën e sulmit, 90 veta po strehoheshin në ndërtesën në qytetin Billohorivka dhe se 30 prej tyre shpëtuan.
Ai tha se një aeroplan i ushtrisë ruse ka hedhur bombën të dielën; Rusia nuk komentoi.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës dhe shtoi se “civilët duhet të kursehen gjithmonë në kohë lufte”.
Ditëve të fundit ka pasur luftime të ashpra në Luhansk, ku forcat ruse dhe separatistët pro-rusë po përpiqen të rrethojnë forcat qeveritare.
Pjesa më e madhe e rajonit është nën kontrollin e separatistëve tash e tetë vjet.
Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.
Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa rreth 6 milionë janë larguar nga Ukraina.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim./REL