Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore më të fundit të pushtimit rus ndaj Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar një armëpushim në qytetin-port të rrethuar të Mariupolit, duke filluar nga mëngjesi i ditës së sotme, për të lejuar evakuimin e civilëve.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti rus, Vladimir Putin, po keqinformohet nga këshilltarët e tij, të cilët kanë frikë t’i thonë se sa keq po shkon lufta në Ukrainë. Të njëjtat burime të inteligjencës, pohojnë se Putin nuk po informohet as mbi ndikimin e plotë të sanksioneve tek ekonomia ruse.
Zyrtarë të mbrojtjes në SHBA thonë se forcat ruse po tërhiqen nga centrali bërthamor i Çernobilit dhe zona e Kievit, si dhe po zhvendosen në drejtim të Bjellorusisë. Por sipas Presidentit ukrainas, Volodimir Zelenki trupat ruse po përqendrohen në rajonin lindor të Donbas, për një ofensivë të re.
Rajoni i Kharkiv-it në Ukrainën verilindore, është goditur nga bombardimet e forta. Kjo u konfirmua përmes një deklarate nga guvernatori ushtarak i rajonit Oleh Synyehubov, i cili theksoi se bombardimi intensiv, ka penguar hapjen e korridorëve të evakuimit në rajon.
Kreu i inteligjencës britanike, Jeremy Fleming, ka deklaruar se trupat ruse në Ukrainë janë të demoralizuar, pa pajisjet e nevojshme dhe po refuzojnë t’i binden urdhrave. “Është e qartë se Vladimir Putin po e vlerëson keq situatën. Po shohim se ushtarët rusë janë pa armë dhe me moral të ulët, po sabotojnë e madje edhe po qëllojnë avionët e tyre”, u shpreh kreu i inteligjencës britanike, Jeremy Fleming.
Presidenti i rajonit separatist të Osetisë Jugore në Gjeorgji, mund të marrë hapa konkretë për t’iu bashkuar Rusisë. Moska e ka njohur territorin bregdetar të Abkazisë si të pavarur pas luftës kundër Gjeorgjisë, në vitin 2008, dhe i ka ofruar vazhdimisht ndihmë financiare dhe shtetësi ruse për popullatën, teksa ka pozicionuar mijëra ushtarë në atë rajon.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar se ka firmosur dekretin që detyron klientët e huaj që ta blejnë gazin me rubla, duke nisur që nesër. “Nëse duan të blejnë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari bankare në rubla, në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gaz, duke nisur nga nesër”, tha Putin.
Kancelari Olaf Scholz, reagoi pas vendimit të Rusisë për të pranuar vetëm rubla për gazin e saj, duke thënë se Gjermania nuk kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë, por do ta paguante me euro, sipas kontratës që kanë dy vendet.a2cnn.