Ukraina hedh poshtë akuzat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq se shërbimi sekret i Kievit, qëndron pas kërcënimeve të rreme me bombë në fluturimet e kompanisë Air Serbia drejt Rusisë.
Pa ofruar të dhëna, presidentit serb deklaroi se shërbimet e jashtme të inteligjencës në Ukrainë dhe të një shteti të paidentifikuar të Bashkimit Evropian, janë pas kërcënimeve.
“Deklaratat e Vuçiq për përfshirjet e dyshuara të Ukrainës në kërcënime me bomba ndaj avionëve serbë që udhëtojnë në Rusi, nuk janë të vërteta”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Ukrainë.
Zyrtarë të tjerë serbë akuzojnë për kërcënimet, Ukrainën dhe Poloninë. Kompania Air Serbia, është e vetmja në Europë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian për ndalimin e fluturimeve nga dhe drejt Rusisë, që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Disa fluturime të planifikuara për në Moskë dhe Shën Petersburg janë vonuar apo anuluar, pasi ka pasur kërcënime anonime për bomba.
Vuçiq ka thënë se ndonëse fluturimet drejt Rusisë nuk janë fitimprurëse për shkak të kthimeve të shpeshta në Beograd, ato do të vazhdojnë të realizohen siç tha, “falë parimeve të vendit”.
Serbia ka votuar për miratimin e tri rezolutave në Kombeve të Bashkuara për të dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, por Vuçiq ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.a2cnn/