“Negociatat për armëpushimin në Ukrainë u zbehën nga provokimi i Perëndimit për masakra të supozuara nga forcat ruse në Bucha”, kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin në takimin e zhvilluar ditën e djeshme me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.
The Times sjell një panoramë më të gjerë të takimit si edhe të reagimeve të të dy liderëve.
Udhëheqësi rus nuk ishte i gatshëm për kompromis në takimin e tij me António Guterres në Kremlin, duke këmbëngulur se “operacioni special ushtarak” i Moskës ishte i nevojshëm për të mbrojtur qytetarët rusë dhe rusishtfolësit në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore.
Guterres edhe më parë ka hedhur poshtë akuzat e Putinit se Kievi ishte fajtor për “gjenocid” në Donbas.
Edhe pse mijëra civilë u vranë gjatë përleshjeve midis Ukrainës dhe forcave pro-Moskës në 2014-15, gjithsej shtatë civilë vdiqën vitin e kaluar si rezultat i armiqësive në Donetsk, territori më i madh i kontrolluar nga separatistët.
Putin pretendoi se delegacionet ruse dhe ukrainase kishin bërë përparim të mirë në bisedimet e armëpushimit në Stamboll, por ato u prishën pas zbulimit të qindra trupave në Bucha, afër Kievit.
“Kishte një provokim në fshatin Bucha, me të cilin ushtria ruse nuk kishte asnjë lidhje,” i tha Putin Guterres, duke shtuar: “Ne e dimë se kush e përgatiti këtë provokim.”
Rusia ka akuzuar Perëndimin për organizimin e masakrës për të diskredituar Kremlinin.
Moska dje sërish ritheksoi se nuk do të mbështeste një hetim ndërkombëtar për krimet e dyshuara të luftës në Bucha apo në vende të tjera, sepse nuk besonte se do të ishte i paanshëm, shkruan The Times.
Gjithashtu Putin akuzoi Kievin për ndërlikim të përpjekjeve për të negociuar një armëpushim duke ndryshuar kërkesat e tij për të përfshirë garancitë e sigurisë në Krime, gadishullin e Detit të Zi që Rusia aneksoi nga Ukraina në 2014.
Megjithatë, ai këmbënguli se Moska ishte ende me shpresë se mund të arrihet një marrëveshje. “Pavarësisht se operacioni ushtarak po vazhdon, ne ende shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje në rrugën diplomatike. Ne jemi duke negociuar, ne nuk i refuzojmë bisedimet”, tha ai.
Guterres u takua me Sergei Lavrov, ministrin e Jashtëm të Rusisë, përpara bisedimeve me Putinin.
Ai tha se OKB-ja po kërkonte “të krijojë kushtet për dialog efektiv, të krijojë kushtet për një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur.
Megjithatë, shefi i OKB-së sinjalizoi më pas se kishte pak shpresë për një marrëveshje paqeje, duke thënë se ishte “e qartë se ka dy qëndrime të ndryshme për atë që po ndodh në Ukrainë”.
Lavrov akuzoi Presidentin Zelensky për injorimin e propozimeve më të fundit të Rusisë për një marrëveshje paqeje.
Ndër të tjera Zelensky tha shefi i OKB-së nuk duhet të të vizitonte Moskën në fillim, por duhej të ndalej në Kiev, ndërsa Boris Johnson paralajmëroi Guterres se Putini do ta përdorte udhëtimin për qëllime propagandistike.
“Nuk ka drejtësi dhe logjikë në këtë rend”, tha Zelensky. “Lufta është në Ukrainë, nuk ka trupa në rrugët e Moskës. Do të ishte logjike që së pari të vinit në Ukrainë, të shihnim njerëzit këtu dhe pasojat e pushtimit”.
Guterres tha se vizita e tij në Moskë ishte si një “lajmëtar i paqes” dhe se objektivi i tij ishte “i lidhur ngushtë për të shpëtuar jetë dhe për të zvogëluar vuajtjet”.b.web.