Gazetarja e Al Jazeera, Shereen Abu Aqleh, mbeti i vrarë me armë zjarri teksa po raportonte për një operacion të forcave izraelite të sigurisë në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor.
Televizioni me seli në Katar, akuzoi forcat izraelite për vrasjen, duke thënë se 51-vjeçarja u qëllua me dashje dhe në gjakftohtësi. Një tjetër gazetar u qëllua gjithashtu me armë zjarri dhe mbeti i plagosur.
Ushtria e Izraelit mohoi se forcat e saj të kenë qëlluar në drejtim të gazetarëve dhe tha se po hetonte nëse gazetarja mund të jetë qëlluar nga ndonjë palestinez i armatosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, tha se kishte mbetur i trishtuar nga vdekja e Abu Aqleh dhe u zotua për një hetim të përbashkët mbi ngjarjen me Autoritetin Palestinez. “Gazetarët duhen mbrojtur në zonat e konfliktit dhe kemi përgjegjësinë të gjejmë të vërtetën”, tha Lapid. Zv.ministrja e Jashtme e Katarit, Lolwah al-Khater, tha se Abu Aqleh ishte qëlluar në fytyrë, edhe pse kishte helmetë dhe jelek antiplumb ku shkruhej “media”.
Shereen Abu Aqleh ishte një prej gazetareve kryesore të Al Jazeera-s, dhe mbulonte prej 15 vitesh konfliktin Izrael-Palestinë.
Në javët e fundit ka pasur një shtim të sulmeve në arabë nënshtetas izraelitë dhe palestinezë, si pasojë e të cilave 17 izraelitë dhe 2 ukrainas kanë humbur jetën. Nga ana tjetër, të paktën 26 palestinezë kanë humbur jetën, prej tyre atentatorë dhe civilë, gjatë konfrontimeve me ushtrinë izraelite në Bregun Perëndimor.A2CNN.