Përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Zyra e Prokurorit të Specializuar( ZPS) ka pretenduar se nuk ka defekte në akuzat e reja për krime lufte në Semetishë dhe Budakovë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Prokuroria ka kërkuar që të hudhet poshtë mocioni i parashtruar nga mbrojtja e Hashim Thaçit ndaj akuzave të reja për krime lufte në Semetishtë dhe Budakovë, ku ata kishin pretenduar se ato kanë defekte.
Sipas shkresës së prokurorisë, mocioni nuk ka përcaktuar ndonjë defekt në formën e Ndryshimeve në aktakuzë dhe duhet të hidhet poshtë.
“Në kundërshtim me pohimet e mbrojtjes së Thaçi-t, kërkesat e përcaktuara në nenin 38 (4) të Ligjit dhe rregullin 86 (3) të Rregullores janë përmbushur. Në të vërtetë, forma e ndryshimeve është në përputhje me pretendimet e tjera në aktakuzë, të cilat gjyqtari i procedurës paraprake tashmë i ka konstatuar se janë mjaft të qarta dhe specifike”, ka pretenduar prokuroria.
Sipas tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar vëren se parashtresat e mbrojtjes së Thaçit në lidhje me paragrafin 93 të aktakuzës nuk kanë bazë ligjore dhe duhet të hidhen poshtë përfundimisht, pasi pretendimet e kundërshtuara bien jashtë fushës së ndryshimeve
Tutje, thonë se në themel të tij, mocioni bazohet në parashtresa të përsëritura që tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Ashtu si në parashtresat e mëparshme, Mbrojtja e Thaçit në mënyrë jo të duhur: (i) kërkon detaje provuese të cilat nuk ka nevojë të paraqiten në aktakuzë dhe që janë dhënë ose do të sigurohen në përputhje me kornizën përkatëse; dhe (ii) kundërshton disa pretendime të izoluara, pa marrë parasysh Aktakuzën në tërësi”, thuhet në këtë shkresë.
Sipas prokurorisë, kur konsiderohet në kontekstin dhe rrethanat e duhura të këtij rasti, Mocioni nuk arrin të identifikojë, e lëre më të vërtetojë, ndonjë defekt pretendues në ndryshimet në aktakuzë
Lidhur me pretendimin e mbrojtjes së kryesit nuk janë identifikuar, prokuroria thotë se kryesit janë identifikuar mjaftueshëm në ndryshime dhe janë identifikuar sipas kategorive ose grupeve si anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’), të lidhur me baza, shtabe, ngjarje të caktuara dhe periudha kohore, dhe në lidhje me Budakovën dhe Semetishtën, të referuara gjithashtu nga brigada dhe zona operative e UÇK-së.
“Përderisa Mbrojtja pretendon se asnjë kryes nuk është identifikuar në paragrafin 174, ajo injoron referencën për vendndodhjen përkatëse dhe pjesët e tjera të aktakuzës, të cilat, lexuar së bashku me paragrafin 174, identifikojnë mjaftueshëm autorët. Prandaj, duke pasur parasysh (i) informacionin e detajuar të ofruar, (ii) që krimet e akuzuara dhe mënyrat e përgjegjësisë nuk varen nga identitetet specifike të kryesve individualë, dhe (iii) natyra dhe shkalla e përgjithshme e krimeve të akuzuara në aktakuzë, detaje shtesë në lidhje me autorët nuk duhet të deklarohen dhe përbëjnë çështje provuese për gjykim”, ka pretenduar prokuroria.
Po ashtu, prokuroria thotë se viktimat janë identifikuar mjaftueshëm në ndryshimet në paragrafët 68, 93 dhe 105.
Sipas tyre, viktimat identifikohen sipas kategorive dhe grupeve në lidhje me numrin minimal të përafërt, vendndodhjen e ndalimit, periudhën kohore dhe të dhëna të tjera të rëndësishme për krimet.
Ndërkaq, thonë se disa viktima identifikohen gjithashtu me emër, përkatësi etnike dhe përkatësi (e perceptuar) politike.
“Duke marrë parasysh (i) informacionin e detajuar të dhënë, (ii) shkallën dhe natyrën e krimeve të akuzuara në aktakuzë, të cilat pretendohet se janë kryer kundër qindra viktimave dhe të drejtuara kundër një grupi ose kolektiviteti, dhe (iii) se kryerja fizike nuk pretendohet, detaje shtesë në lidhje me viktimat nuk duhet të deklarohen dhe përbëjnë çështje provuese për gjykim”, thuhet në shkresë të ZPS-së.
Tutje, sipas prokurorisë, vendndodhjet e krimeve janë identifikuar mjaftueshëm në ndryshimet në paragrafët 68, 105 dhe 157.
Prokuroria thotë se vendet e krimeve në Budakovë dhe Semetishtë janë identifikuar sipas fshatit, komunës dhe lidhjes së tyre me/përdorimin nga anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë anëtarët e Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut.
“Duke marrë parasysh (i) informacionin e detajuar të dhënë, (ii) shkallën dhe natyrën e krimeve të akuzuara, dhe (iii) faktin që nuk pretendohet për kryerje fizike, detaje shtesë në lidhje me vendndodhjet e krimeve nuk duhet të deklarohen dhe përbëjnë çështje provash për gjykim”, ka pretenduar prokuroria.
Sipas tyre, aktakuza deklaron në mënyrë adekuate rolin e të akuzuarve në krimet e akuzuara. Kur lexohen amendamentet së bashku me pjesën tjetër të aktakuzës, është e qartë se të akuzuarit supozohet se janë përgjegjës për krime në, ndër të tjera, në Budakovë, Semetishtë dhe Gjilan: (i) përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje e përbashkët kriminale (‘NPK’); (ii) si ndihmës dhe përkrahës; dhe/ose (iii) si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
“Rrjedhimisht, duke pasur parasysh se gjyqtari i procedurës paraprake ka gjetur më parë se mënyrat e akuzuara të përgjegjësisë janë deklaruar me qartësi dhe specifikë të mjaftueshme, detaje shtesë në lidhje me lidhjen ose rolin e pretenduar të të akuzuarit nuk ka nevojë të jepen në ndryshimet”, thuhet në shkresë të prokurorisë.
Në fund të shkresës, thuhet se si përmbledhje, të gjitha faktet materiale, përfshirë në lidhje me ndryshimet, janë deklaruar në aktakuzë me qartësi dhe specifikë të mjaftueshme për t’i mundësuar të akuzuarve të kuptojë plotësisht natyrën dhe shkakun e akuzave kundër tyre.
“Në përputhje me kornizën e vendosur, mbrojtja ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë detajet e provave që mbështesin faktet materiale të deklaruara, duke përfshirë ato të kërkuara në mocion, duke siguruar kështu drejtësinë në procedurë”, ka pretenduar prokuroria.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.