Fillimisht Rusia pushtoi Çernobilin, zona e katastrofës më të madhe nukleare në botë. Një javë më vonë ishte radha e Zaporizhzhia, impianti më i madh bërthamor në Europë. Dhe tani, ndërprerja e energjisë në Çernobil, ku më shumë se 200 punonjës po mbahen peng.
“Ky është terrorizëm i një niveli të ri. Ukraina ka 15 impiante bërthamore dhe Rusia duket se e ka harruar tragjedinë botërore të Çernobilit”, shprehej Zelensky.
“Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të ketë angazhime të qarta që operacionet ushtarak të mos i afrohen fare zonave bërthamore”, tha Rafael Mariano Gross, kreu i Agjencisë për Energjinë Bërthamore.
Disa e kanë cilësuar shënjestrimin e një infrastrukture të tillë kaq të ndjeshme si krim lufte. “Janë totalisht të papërgjegjshëm. Ata nuk e vrasin fare mendjen për viktimat civile. Por do të çuditesha nëse do të sulmonin qëllimisht centralet bërthamore. Megjithatë nga një president sociopath si Putin mund të presësh gjithçka”, tha Taras Kuzio, ekspert për çështjet e sigurisë.
Ukraina është shtëpi e 15 centraleve bërthamore. Me dy të pushtuara tashme, forcat ruse po i afrohen centralit të dytë më të madh, atij të Yuzhnoukrainsk në Mikolaiv. Energjia bërthamore përbën gati çerekun e burimeve të energjisë ne vend, pas qymyrit dhe gazit natyror. Për këto të fundit, Kievi mbështetet kryesisht në importet nga Rusia. Por gjithashtu rezervat e naftës janë goditur. Ukraina postoi imazhe të rafinerive të sulmuara naftës në Zhytomir dhe Cherniahuiv në veriperëndim të vendit.
Për momentin është e vështirë të përcaktohen qëllimet e Moskës lidhur me infrastrukturën e energjisë, veçanërisht zonat nukleare. Ukraina thotë se nivelet e rrezatimit për momentin janë normale, por Perëndimi mbetet i shqetësuar.