Ambasadorja e Francës në Kombet e Bashkuara, shprehu shqetësim për situatën me sigurinë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB, ajo nënvizoi se kriza politika e vazhdueshme ne Sarajevë rrezikon arritjet 30-vjeçare të ndërtimit të institucioneve dhe reformave.
Zyrtarja franceze e konsideron të nevojshme prezencën ndërkombëtare në Bosnje për të garantuar stabilitetin e këtij shteti dhe të rajonit. Me rëndësi të veçantë përmendi edhe kontributin e Bashkimit Europian në reduktimin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë përmes misionit të EULEX-it.
“Meqë kontinenti europian përballet me një sfidë të paprecedentë që vjen nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të punuar për stabilitetin në Europë, veçanërisht në Ballkan”, tha ambasadorja në Këshillin e Sigurimit.