Përfaqësues të shtetit të Finlandës dhe Irlandës kanë shprehur përkrahjen e tyre për rrugën euroatlantike të Kosovës, pas një takimi që kanë pasur me zëvendëskryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi në Qeverinë e Kosovës, raporton Kosova Post.
Zëvendëskryeministri Bislimi i cili priti këto delegacione të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne orientimi pro-perëndimor i Kosovës, ka “sjell më afër njëri-tjetrit” Kosovën me këto shtete.
Bislimi ka vlerësuar lartë mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të dy vendeve mike për mbështetjen në rrugëtimin e Kosovës drejtë liberalizimit të vizave, integrimit evropian, anëtarësimit në Këshillin Evropian, NATO por edhe organizata tjera ndërkombëtare.
“Shpresojmë se anëtarësimi i shpejtë i Finlandës në NATO të përfundojë me sukses dhe të pasohet pastaj edhe me anëtarësimin e Kosovës. Qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë dhe paqes në kontinentin tonë”, theksoi Bislimi.
Bislimi tha se marrëdhëniet e Kosovës duhet të forcohen me shtetin e Finlandës dhe Irlandës edhe në aspektin socio-ekonomik, duke theksuar se shohin hapësirë për rritjen e eksporteve kosovare drejt Finlandës dhe Irlandës por edhe rritjen e investimeve direkte nga këto dy vende në Kosovë.
Ndërkaq Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen tha se Finlanda është mbështetëse e të gjitha aspiratave të Kosovës në rrugën euroatlantike.
“Finlanda e mbështetë liberalizimin e vizave të Kosovës dhe jemi me shpresë që BE do ta zgjidhë në fund këtë problem gjatë muajve të ardhshëm. Është tash koha dhe ne e mbështesim fuqishëm Kosovën. Për ne, Kosova është shembull pozitiv i një anëtareje aktive dhe konstruktive të rendit ndërkombëtar”, theksoi Tuppurainen duke vlerësuar shtetin kosovar për sanksionet që i ka bërë Rusisë pas luftës në Ukrainë.
Ajo tha se e çmon marrëveshjen e fundit të Kosovës me Serbinë për energjinë në kuadër të procesit të dialogut, derisa shtoi se “Finlanda mbështetë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe të pranueshme për normalizimin e marrëdhënieve”.
Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne tha se Irlanda e mbështet rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Byrne tha se Irlanda po ashtu është pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Qeveria juaj apo shteti Kosovës po kërkon anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kjo është një ri-sigurim i shkëlqyeshëm për qytetarët se kjo qeveri është serioze për të drejtat e njeriut dhe që i ka vendosur të drejtat e njeriut në rend të parë dhe për këtë është Këshilli i Evropës. Ju dëshiroj suksese dhe do të punojmë sa më shumë që është e mundur brenda këtyre organizatave që të sigurojmë një rrugëtim të pëlqyeshëm dhe pranueshëm nga të tjerët”, theksoi Byrne.
Më 12 maj të këtij viti, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht aplikoi për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe” me seli në Strasburg të Francës.
Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hapë nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.aa.