Ramzan Kadyrov, lideri i republikës ruse të Çeçenisë, ka deklaruar se do të ketë një ofensivë nga forcat ruse jo vetëm në portin e rrethuar të Mariupolit, por edhe në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.
“Do të ketë një ofensivë… jo vetëm në Mariupol, por edhe në vende të tjera, qytete dhe fshatra”, tha Kadyrov në një video të postuar në Telegram, raporton Reuters.
“Luhansk dhe Donetsk do t’i çlirojmë plotësisht në radhë të parë… dhe më pas do të marrim Kievin dhe të gjitha qytetet e tjera”.
Kadyrov, i cili shpesh e ka përshkruar veten si “ushtari këmbësor” i presidentit rus Vladimir Putin, tha se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për Kievin.
“Unë ju siguroj: Asnjë hap nuk do të hidhet pas“, tha Kadyrov.
Kadyrov është akuzuar vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për shkelje të të drejtave, të cilat ai i mohon.
Moska luftoi dy luftëra me separatistët në Çeçeni, një rajon kryesisht mysliman në Rusinë jugore, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Por që atëherë ajo ka derdhur shuma të mëdha parash në rajon për ta rindërtuar atë dhe i ka dhënë Kadyrov një masë të madhe autonomie.abcnews.al