Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ditë më parë gjatë vizitës në Stamboll të Turqisë ka takuar Udhëheqësin e Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë, Mehmet Ali Akben.
Guvernatori falënderoi Akben për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritashëm, si dhe shprehu gatishmërinë dhe kërkesën për vazhdim të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të mëtejmë të stafit të BQK-së, pjesëmarrjen në kolegjet mbikëqyrëse dhe kryerjes së ekzaminimeve të përbashkëta.
Nexhat Miftaraj shef i kabinetit të guvernatorit Fehmi Mehmeti, theksoi se gjatë kësaj vizite guvernatori ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, si dhe pjesëmarrjen në kolegjet mbikëqyrëse dhe kryerjes së ekzaminimeve të përbashkëta.
“Këto kolegje mundësojnë shkëmbimin e informatave mes BQK-së dhe institucioneve turke. BQK ka marrë pjesë në kolegje të tilla edhe në të kaluarën, si nga Sllovenia, Gjermania, por edhe vendeve të tjera. Pjesëmarrja e BQK-së është shumë me rëndësi për sistemin financiar, si dhe bankave apo degët që Turqia i ka në Kosovë”, tha ai për emisionin “Ekonomiks” të RTK-së.
Miftaraj bëri me dije se sektori bankar nuk është i ekspozuar nga zhvillimet e agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Zhvillimet ekonomike mund të ketë efekt, por sektori bankar dhe financiar i Kosovës është stabil dhe likuid dhe mirë i kapitalizuar”, theksoi ai.