“Rreziku është serioz, është real, nuk duhet ta nënvlerësojmë”. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një intervistë të transmetuar të hënën mbrëma nga televizioni rus teksa pranoi se ka një mundësi që konflikti të përshkallëzohet në armë bërthamore, megjithëse ai dha gjithashtu një notë shpresëdhënëse për perspektivat e një marrëveshjeje paqeje.
Lavrov u shpreh se Moska dëshiron të shmangë rreziqet “artificiale” të një konflikti të tillë.
“Ky është pozicioni ynë kyç mbi të cilin ne bazojmë gjithçka. Rreziqet tani janë të konsiderueshme. Unë nuk do të doja t’i ngrija ato rreziqe artificialisht. Shumë do ta donin këtë. Rreziku është serioz, real, dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë.”
Lavrov akuzoi gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se sipas tij “shtiret” për të negociuar, duke e quajtur madje edhe “një aktor i mirë”.
“Nëse shikoni me vëmendje dhe lexoni me vëmendje atë që thotë, do të gjeni një mijë kontradikta”, tha kryediplomati rus.
Ministri i Jashtëm tha javën e kaluar se Moska ishte e angazhuar për të shmangur një luftë bërthamore.
Lavrov ka deklaruar gjithashtu se armatimet e dërguara nga perëndimi në Ukrainë sipas tij do të thotë se aleanca e NATO-s është “në thelb e angazhuar në luftë me Rusinë”.
“Këto armë do të jenë një objektiv legjitim për veprimin ushtarak të Rusisë në kontekstin e operacionit special. NATO, në thelb, është i përfshirë në një luftë me Rusinë përmes një përfaqësuesi dhe po e armatos atë përfaqësues. Lufta do të thotë luftë”, tha ai.
Të hënën, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkroi në Twitter se komentet e fundit të Lavrov ishin një tregues që Rusia kishte humbur “shpresën e saj të fundit për të trembur botën që të mos mbështeste Ukrainën”.
“Kështu që flitet për një rrezik “real” të Luftës së Tretë Botërore. Kjo do të thotë se Moska e ndjen humbjen në Ukrainë,” shkroi ai në Twitter.
Disa ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi forcat e tij bërthamore të ishin në gatishmëri.abcnews.al